Instituti Ballkanik për Fe, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, Instituti i historisë nacionale dhe Instituti për studime shqiptare Protestante, studiues e historianë, teolog, u mblodhën mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, për të hapur konferencën e 500 me radhë të reformacionit protestant. Ku u kryetari i ITSHKSH -së, mbajti fjalim, ku tha:
“Maqedonia, ngjashëm si edhe mbarë rruzulli tokësor, historikisht ka qenë edhe hapësirë e diversiteteve, jo vetëm etnike, gjuhësore, por edhe fetare, një vlerë kjo e pamasë, e cila nëse kultivohet si duhet në institucione dhe në sitemin politik, e promovon më së miri vendin në arenën ndërkombëtare, por edhe i forcon shtyllat e stabilitetit të brendshëm.
Kjo pjesë gjeografike e globit, që brenda vetes ngërthen identitete të ndryshme religjioze, identitete të shtresuara natyrshëm tek njerëzit, sot, më së miri në mënyrë simbolike përmes kësaj fotografie nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ia prezanton botës nevojën për mirëkuptim dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërkulturor, nevojën e tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme religjioze, nevojën që njerëzit të respektojnë “tjetrin”, tiparet e identitetit të tij, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi progres shoqëror dhe ecje drejt Evropës, e cila në thelb është multikulturore.
Në 500 vjetorin e Reformacionit protestant, ne jemi mbledhur në një vend, që u takojmë etnive dhe feve të ndryshme, për të trajtuar këtë ngjarje të rëndësishme historike, për të nxjerr në dritë fakte të reja mbi këtë lëvizje, sa fetare, aq edhe politike, sa religjioze, aq edhe filozofike dhe iluministe.
Ne sot kujtojmë një datë e cila është sublime për protestantizmin, por e rëndësishme edhe për historinë njerëzore, për të kaluarën globale, por edhe për mbamendjen e popullit shqiptar dhe atij maqedonas, si dhe popujve tjerë të rajonit. Ky religjion ka qenë dhe është i pranishëm me porositë e tij edhe në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, tek dy popujt, që në periudha të ndryshme e kanë pranuar protestantizmin, ndonëse në numër simbolik, por mjaftueshëm për të dëshmuar larminë fetare.
Vitin e kaluar u shënua 200 vjetori i protestantizmit ndër shqiptarë, një jubile me të cilin bëhet krenar çdo shqiptar, meqë me këtë filloi edhe një etapë e re në zhvillimin e shqiptarëve në frymën kombëtare. Pikërisht me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe, me hapjen e shkollës së vashave në Korçë, me mbështetjen e madhe për Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, dhe me një sërë përpjekjesh tjera, Lëvizja protestante dha një kontribut të pazëvendësueshëm për iluminimin e shqiptarëve, duke u bërë një krah shumë i fuqishëm i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Prandaj, sot le të shërbejë kjo konferencë edhe si një homazh për punën vetëmohuese të pishtarëve të arsimit dhe rilindjes shqiptare, siç janë familja Qiriazi në Manastir, e cila u anatemua dekada të tëra nga ideologjia dhe regjimi i kohës. Fatin e ngjashëm e pati edhe një përfaqësues tjetër i lëvizjes protestante, ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili bëri përpjekje të mëdha për zgjidhjen paqësore të konfliktit të vitit 2001, por derisa ishte gjallë nuk u kuptua drejtë!
Fatkeqësisht, në të dyja rastet, ideologjitë e kohës i nënçmuan dhe i anatemuan, duke i akuzuar për tradhti dhe shpifje të ngjashme, por koha po dëshmon se veprimet e tyre ishin në vijë të progresit, mirëkuptimit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë. Edhe takimi ynë i sotëm le të jetë në shenjë të kësaj mirënjohjeje për Qiriazët dhe presidentin e ndjerë Trajkovski”, tha Dr.Skender Asani, drejtor i ITSHKSH