Sundimi i ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Maqedoni, edhe më tej lë shumë për të dëshiruar. Mirëpo, Ministria e Drejtësisë ka strategji për eliminimin e vërejtjeve të konstatuara në raportet e organizmave ndërkombëtare, tha ministri i drejtësisë, Bilent Saliji, në Konferencën e komisioneve parlamentare për çështje evropiane të vendeve të EJL-së, të përfshira në procesin e stabilizim asociimit. Sipas tij, sigurimi i pavarësisë së plotë të gjyqësorit, pavarësimi i institucioneve të sistemit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfidat kryesore të reformës.
“Sipas volumit, jo edhe aq, por sipas përmbajtjes, një pjesë e konsiderueshme e reformave në sektorin e gjyqësorit janë të lidhura ngushtë me qeverisjen e së njëjtës, me kuadrot e së njëjtës dhe me pavarësinë e gjyqësorit. Nga aktivitetet në këto fusha do të varen edhe reformat në fushat e tjera, në këtë kontekst sigurimi i pavarësisë së plotë të gjyqësorit, pavarësimi institucioneve të sistemit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar paraqesin tre pyetjet ku duhet të fokusohemi”,- deklaroi ministri i drejtësisë, Bilent Saliji.
Anakronike me kërkesat për reforma janë zgjedhjet e fundit në Këshillin e Prokurorëve Publikë.
BEJLI: ZGJEDHJET NË KËSHILLIN E PROKURORËVE, JOTRANSPARENTE
Ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, doli me vërejtje të hapur. Nuk kishte transparencë, por ka konflikt interesash.
“Një prokuror publik, anëtar i Këshillit, ka marrë pjesë në vendimmarrjen, për emërimin e një prokurori. Ai prokuror ka hetuar një anëtar të afërt të familjes së atij anëtari të Këshillit të Prokurorëve. Pjesëmarrja e atij anëtari të Këshillit në këtë vendim mua më duket se paraqet konflikt të qartë interesi”,- u shpreh ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Përveç sundimit të ligjit brenda vendeve të Evropës Juglindore, ligi duhet të sundojë edhe në marrëdhëniet dypalëshe.
DIMITROVI: KA VULLNET PËR ZGJIDHJEN E KONTESTEVE DYPALËSHE
Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, kërkoi nga fqinji jugor që të respektojë marrëveshjen e përkohshme dhe të mos pengojë Maqedoninë në procesin e saj eurointegrues.
“Ky problem, parë nga aspekti juridik, nuk duhet të jetë pengesë për integrimet tona euroatlantike, pasi Greqia ka obligim juridik që të mos kundërshtojë eurointegrimet tona duke shfrytëzuar emrin si pretekst që nga marrëveshja e përkohshme e vitit ‘95. Megjithatë, ne kemi edhe problem politik, meqë duam të bëhemi aleatë në BE dhe NATO, mirëpo aleatë nuk mund të bëhemi nëse shqelmohemi ose akuzohemi”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Dimitrovi tha se procesi për qasje në BE duhet të shfrytëzohet për të ndërtuar demokraci të vërtetë europiane në Maqedoni ku do të sundojë ligji. Sundimi i ligjit do të na ndihmojë edhe në mënyrën e diskutimit politik mes pushtetit dhe opozitës, theksoi Dimitrovi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)