Memedali Jusufi
Teknologjizimi në rritje përveç aspektit teknik të tij, është duke e rimodeluar edhe mënyrën tonë të të jetuarit dhe mënyrën sesi komunikojmë me të tjerët. Teoria e veprimit komunikativ e Habermasit ndërtohet mbi atë që Habermasi e quan racionaliteti komunikativ. Pra veprimi komunikativ bazohet mbi një marrëveshje racionale të arritur përmes dialogut. Në toerinë e Habermasit, racionaliteti komunikativ ka potencial të krijojë një shoqëri e cila është moderne në kuptimin e të qenit më e hapur, e cila pranon dialogun dhe që është e hapur ndaj kritikës. Habermasi thotë se “ne e quajmë dikë racional nëse ai e bën të njohur, e zbulon dëshirën ose qëllimin e tij, shpreh ndjenjat ose gjendjen e tij shpirtërore”. Sipas tij “në një shoqëri komunikative të vërtetë gjithmonë arrihet një koncensus dhe mirëkuptim i sinqertë mes njerëzve, pa imponim nga sistemi i cili sipas Habermasit, në shumë raste, rrezikon që komunikimin ta shtyp Perspektiva filozofike, komunikimin nuk e sheh si një proces teknik – përmbushje të thjeshtë të nevojave tona dhe tjerëve – por më shumë si “mundësi e qenies që ta shpërfaq/kuptimësoj vetveten në botë ”. Heideggeri pikëpmajen e tij mbi ‘diskursin/ligjërimin’ dhe ‘dialogun/komunikimin’ e sheh si pjesë të kërkimit njerëzor për qenien. Tek libri ‘Qenia dhe Koha’ Heideggeri thotë: “Ligjërimi apo komunikimi është mënyra përmes së cilës ne e artikulojmë inteligjibilitetin apo kuptimësimin e “të qënit në botë ”. Në njëfarë mënyre sipas Heideggerit vetëm përmes komunikimit me tjerët ne e kuptimësojmë “të-qënit-tonë -në -botë ”. Në përgjithësi, komunikimi dhe ligjërimi tek Heidegger ka për qëllim gjetjen e domëthënies/kuptimit të asaj për të cilën komunikohet. Një koncept i rëndësishëm te Heidegger përveç atij “të-qënit-në-botë ” është edhe “të-qenit-me” sepse Heidegger e sheh komunikimin si pjesë e mënyrës sonë të të qenurit me të tjerët. Sipas Heideggerit: “Njeriu e shfaq vetveten si ekzistencë/entitet e cila komunikon/flet”. Për ta pasur më të qartë se çka nënkupton Heideggeri me komunikim Meyrsoni e adopton këtu slloganin e “British Telecom”, “Të bën mirë të komunikosh”, derisa në diskursin heidegerian kjo shndërrohet në “Është njerëzore të flasësh”. Vërejmë se komunikimi te Heiddeger është më shumë nevojë e qenies me e shfaq vetveten në botë dhe si mundësi për të qenë me të tjerët, në një kuptim njerëzor, sesa vetëm si transmetues i thjeshtë i mesazhit apo përmbushjes se nevojave, që është karakteristikë e kulturës së telefonizimit. Edhe të Habermasi komunikimi dallon nga ‘komunikimi si përmbushje e një dëshire/nevoje’ që e gjejmë në kulturën e telefonizimit. Për Habermasin “ju komunikoni jo për shkak të kënaqjes apo përmbushjes se një dëshire , por, ç’është më e rëndësishmja, në menyrë që ta bëjmë të njohur një dëshirë ose një qëllim”. Duke e interpretuar Habermasin Meyrsoni thotë : “Ju nuk keni për qëllim që t’i përmbushni nevojat përmes komunikimit; ju synoni t’i zbuloni ato, t’i bëni të njohura”. Të tjerët pastaj mund të kundërpërgjigjen; mund të vendosin, veprojnë, ndihmojnë apo t’iu pengojnë. Të komunikosh nënkupton t’i bësh dëshirat tua të kuptueshme dhe kurrsesi përmbushjën e tyre të menjëhershme. Gjithsesi ne shpesh përdorim fjalë për përmbushjen e ndonjë nevoje, por për Habermasin ky nuk është komunikim i vërtetë. Ne komunikojmë vetëm kur jemi të shqetësuar lidhur me atë që ta bëjmë veten tonë të kuptueshëm prej tjerëve”.