Më poshtë e gjeni demantin e plotë të Komunës së Sarajit ndaj akuzave të sotme të VLEN:
Me indinjatë të thellë, demantojmë çdo shpifje, manipulim dhe tentativë për mashtrim të opinionit publik që vjen nga përfaqësuesit jolegjitimë në qeverinë VLEN. Këto përpjekje të mjerueshme nuk janë asgjë tjetër veçse tentativë për të larguar vëmendjen nga rastet flagrante të keqpërdorimeve zyrtare që ndodhin në komunat e drejtuara nga vetë ata.
Objekti që ata përpiqen ta etiketojnë padrejtësisht është ndërtuar në përputhje të plotë me të gjitha procedurat ligjore, në mënyrë tërësisht transparente dhe me përmbushje të plotë të detyrimeve tatimore dhe ligjore ndaj institucioneve të shtetit.
Është e turpshme dhe e papranueshme që përfaqësues të një qeverie të arrijnë deri në atë pikë sa të përpiqen të diskreditojnë edhe investitorët, të cilët me ndershmëri dhe përkushtim kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe urban të vendit.
Për hir të opinionit publik dhe për të mbrojtur kredibilitetin e investitorëve, dhe jo për t’u marrë me inskenimet mashtruese të VLEN-it, sqarojmë sa më poshtë:
• Objekti ndodhet në një lokacion që ka plan urbanistik të miratuar (PLF / UPS Saraj – sipas terminologjisë maqedonase) që nga data 28.09.2010.
• Ky plan ka kaluar të gjitha fazat dhe miratimet përkatëse nga institucionet kompetente, përfshirë edhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
• Plani është në përputhje të plotë me Planin Gjeneral Urbanistik të Qytetit të Shkupit 2012–2022.
• Të gjitha procedurat që kanë pasuar dhënien e lejes për ndërtim janë zhvilluar konform Ligjit për Ndërtim, duke respektuar në tërësi regulloren ligjore në fuqi.
Për më tepër, institucionet shtetërore kanë kryer disa herë kontrolle në lidhje me ndërtimet në komunën tonë, dhe nuk është konstatuar asnjë parregullsi, duke përfshirë edhe këtë objekt në fjalë. Ndërsa ju shpenzoni energji për shpifje, ne vazhdojmë me respektimin e ligjit, transparencë dhe përkushtim për zhvillimin e komunës sonë.