Komuna e Tetovës përmes një komunikate për medie ka bërë publike të dhënat e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” për analizat e ujit të kryera gjatë ditës së sotme në Tetovë, transmeton Almakos.
“Të nderuar qytetarë, Sipas rezultateve të ditës sotme (10.10.2018) nga analizat e kryera nga Qendra për shëndet Publik në Tetovë në rrjetin e ujësjellësit, uji për pije në qytetin e Tetovës ËSHTË I PASTËR DHE PËR PIJE. Nga rezultatet e marra është vërtetuar se uji nga ujësjellësi i qytetit të Tetovës është sipas kushteve të parapara me Rregulloren për sigurinë e ujit për pije (Gazeta Zyrtare e RM-së nr.46/08). Uji poashtu është i pastër sa i përket gjendjes së tij mikro-biologjike, kimike dhe fizike dhe është i sigurt për pije. “ thuhet në komunikatë.
Përndryshe para disa ditëve në opinion dolën disa informacione se uji për pirje në Tetovë ka shije të naftës dhe se është i rrezikshëm për pirje./Almakos/