Si pasojë e reshjeve të shiut këtë fundjavë në Malësinë e Tetovës, uji që vjen nga burimet e Leshnicës është turbulluar dhe ka arritur nivele ndotjeje përtej normales thanë autoritetet e Komunës së Tetovës informon Tetovasot. Sipas tyre për shkak të kësaj situate, jemi të detyruar të ndërpresim përkohësisht shfrytëzimin e këtij burimi derisa të kryhet pastrimi i plotë, proces që kërkon kohë.
Aktualisht, do të furnizohemi nga burimet e vjetra dhe ato të Kodrës së Diellit, të cilat ofrojnë një prurje prej 350 l/s. Kjo sasi nuk është e madhe, por është e mjaftueshme për të përballuar këtë situatë të vështirë, nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe kursejmë ujin.
Çdo pikë uji që kursejmë sot, është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët. Ky është momenti kur ne, si qytetarë të devotshëm dhe të përgjegjshëm, duhet të tregojmë solidaritet dhe kujdes.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme u shprehën nga Komuna.