Banorët e Tetovës ankohen se ditët e fundit uji në çezmat e tyre mban erë kimikatesh, ose “ erë gazi” siç thanë disa qytetarë për Almakos.
Megjithatë, redaksia jonë kontaktoi me zëdhënësin e Komunës së Tetovës, Armend Fazliun, i cili e demantoi një informacion të tillë me përgjigje të prerë.
“ Nuk ka diçka të tillë”- tha zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu.
Nga ana tjetër, ndryshe nga ç’tha Fazliu, disa banorë të Tetovës të kontaktuar nga Almakos, thanë se këto ditë janë detyruar që ujin ta blejnë, sepse era që mban uji që rrjedh nga çezmat e tyre kundërmon erë kimikatesh.
“ Nuk e dimë si është puna, por ujit i vjen erë gazi. Me këto rroga që kemi ne buka blihet me zor e jo më tash edhe ujë të shkojmë të blejmë” – tha N.H nga Tetova.
“Nuk pihet, të mbytë era. Veç në Tetovë uji ka shije edhe erë, në krejt notën nuk ka as ngjyrë, as erë, as shije. S’ka çka të them tjetër” – tha B.A, banor i Tetovës.
“ Sapo e hapëm çezmën dhe kundërmon një erë shumë e keqe, pavarësisht se ne e dimë se uji është pa shije dhe pa erë, dhe i domosdoshëm për njeriun, pa të do ishte e pamundur jeta. Më përpara e kemi konsumuar ujin nga çezmat, por kohët e fundit, jo vetëm që ka mungesë të ujit, por edhe kur ka ujë i njëjti nuk është I pijshëm”- tha D.A banore e Tetovës.
“Jo, jo nuk është i pijshëm. Të njëjtin problem në mëngjes me familjen e diskutonim, sepse duhet të dilnim të blinim ujë. Atë të çezmave nuk e përdorim dot. I vjen era gaz, erë e rëndë i vjen.”- tha R.N nga Tetova.
Lidhur me këtë problem kanë reaguar edhe nga Eco Guerrilla, të cilët në këtë rast e demantojnë deklaratën e dhënë nga zëdhënësi i Komunës së Tetovës.
“Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masa urgjente për këtë rrezik që nuk është parë deri më tani dhe ti njoftojnë qytetarët për këtë problem!”-thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Pas më shumë se dy dekadash probleme me mungesën e ujit të pijshëm dhe premtimeve të katër kryetarëve të komunave, drejtuesit e pushtetit aktual në përfundim të mandatit kanë lëshuar në përdorim ujësjellësin e ri me të cilin thonë se kanë zgjidhur këtë problem jetik të banorëve të Tetovës. Punimet kanë zgjatur me muaj e vite, ndërsa janë përcjell me reagime e protesta të shumta të banorëve nëpër lagje që me ditë të tëra vuanin mungesën e ujit.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com