Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka inspektuar sot nga afër punimet dhe aksionet në terren për pastrimin e kanaleve kulluese, të cilat në shumë zona të komunës nuk kanë qenë të mirëmbajtura për vite me radhë.
Nga Komuna bëjnë të ditur se këto ndërhyrje do të vazhdojnë pa ndërprerje, me fokus të veçantë në lokacionet më të ndjeshme dhe problematike, duke e cilësuar çështjen e kanaleve kulluese si një prioritet të drejtpërdrejtë të administratës aktuale.
Njëkohësisht, Komuna e Strugës u bën apel qytetarëve që të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe të kontribuojnë në fushatën e sensibilizimit, duke shmangur uzurpimin dhe hedhjen e mbeturinave në kanalet kulluese.
Në fund, kryetari Qyra ka falënderuar sipërmarrësit dhe ndërmarrjet që iu përgjigjën thirrjes së tij dhe u angazhuan vullnetarisht për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj problematike./ZYRTARE.net/


