Komuna e Haraçinës e cila në këto zgjedhje zgjedhi kryetare të re që në rrethin e parë, nga radhët e partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Milikije Halimi, edhe pse përballet me probleme të shumta, si keqmenaxhimi me mbeturina, mungesë invetari dhe ujit të pijshëm në shkolla, rrugë të shkatërruara dhe mungesë trotuaresh, për të njëjtat nuk preferon të jep llogaridhënie e as të bëjë publike planet për secilën prej tyre.
Siç edhe veprohet me komunat e tjera, kur për problemet e detektuara nga tereni vizitohet drejtpërdrejtë personi përgjegjës në sektorët e caktuar, në komunën e Haraçinës kjo nuk ishte e mundur. Fillimisht na pritën disa punëtorë, të cilët endeshin nga njëra sallë në tjetrën më pas edhe një staf shumë i vogël në numër që ishin në krye të detyrës. Kërkuam personin përgjegjës për sektorin e arsimit, ai nuk ekzistonte, kërkuam zëdhënës, nuk kishe. Na u tha se e vetmja që mund të japë përgjigje është kryetarja e Komunës, që për problemin e caktuar duhet ta presim deri sa të vijë.
Edhe pse dy orë pritjeje sërish kjo qe e pamundur nën arsyetimin “se kryetarja e Komunës ka agjendën e saj dhe duhet të caktojmë termin për të pasur takim me të” transmeton Portalb.