Dy paralele në fshatrat e Gostivarit Forinë dhe Raven do të hapen gjatë këtij viti, informuan nga zyra për zhvillim ekonomik lokal pranë Komunës së Gostivarit.
“Komuna e Gostivarit, nga programet e UNICEF-it fitoi grand me vlerë rreth 18 mijë euro për hapjen e dy qendrave për zhvillim të hershëm të fëmijëve. Sipas planit, njëra paralele për fëmijë prej moshës tre deri pesë vjeçare do të hapet në fshatin Forinë, ndërsa tjetra në fshatin Raven, thonë nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë Komunës së Gostivarit. Me nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim, Komuna e Gostivarit për këtë projekt do të investojë edhe 10 mije euro, mjete që janë të nevojshme që të përmbushen të gjitha kushtet e nevojshme për klasat që do të funksionojnë në kuadër të ndërtesave ekzistuese shkollore. Sipas planit, qendrat për zhvillim të hershëm në Forinë dhe Raven duhet të fillojnë të funksionojnë gjatë këtij viti, pasi të kenë përfunduar procedurat dhe përmbushjen e kushteve. Nga Komuna e Gostivarit, theksojnë se në plan është hapja edhe e disa qendrave të këtilla për kujdes dhe edukim të fëmijëve me mjete nga arka komunale përmes grandeve.