Gjykata e Apelit në Shkup solli vendim me të cilën hidhet poshtë ankesa e Komunës së Gazi Babës dhe vërtetohet vendimi i Gjykatës Administrative në Shkup me të cilën vërtetohet se Komuna e Gazi Babës si e paditur ka kryer diskriminim mbi baza të gjuhës dhe përfaqësimit gjuhësor në sferën e raporteve të punës dhe i ndalohet ndërmarrja e veprimeve të mëtutjeshme të diskriminimit, deklaroi për Almakos, avokati Petro Janura.
“Kjo nënkupton se bëhet fjalë për një vendim të plotfuqishëm gjyqësor. Bëhet fjalë për ngjarje ku paditësi dhe një koleg i tij që janë administrator shtetëror në Komunën e Gazi Babës, në periudhën e pushtetit të kaluar lokal iu është thënë të mos flasin në gjuhën shqipe, pasi që, në thonjëza, në pajtim me rregullat ligjore, gjegjësisht me Ligjin për përdorimin e gjuhës që e flasin 20 % të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe njësive të vetëqeverisjes lokale, gjuhë zyrtare në Komunën e Gazi Babës është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Interpretimi i tillë ka dal nga fakti që në Komunën e Gazi Babës numri i qytetarëve shqiptar është më i vogël se 20 %.
Pozicioni i Komunës së Gazi Babës si palë e paditur ishte midis tjerash që me një paraqitje të tillë janë kujdesur për përdorimin e Ligjit. Nga ana tjetër, pozicioni ynë ishte se zbatimi i tillë i Ligjit është diskriminues, nuk mundet dhe nuk guxon që të kufizohet nga askush. Punohej për ‘rrugë maratonë’. Lënda njëherë u kthye në ri vendim nga ana e Gjykatës së Apelit, por në fund gjykatësit vendosën në dobi të klientit tim, kërkesa e padisë është miratuar dhe vendimi gjyqësor është i gjithëfuqishëm.
Ky vendim i plotfuqishëm është shumë i rëndësishëm pasi që është pjesë e praktikës gjuhësore dhe do t`i jap kurajë edhe viktimave tjera të diskriminimit të nisin procedura për mbrojtje”, deklaroi avokati për Almakos.
Përndryshe avokati Petro Janura është nip i Petro Janura (1911–1983) që ishte një personalitet i rëndësishëm i gjuhës, letërsisë, dhe folklorit shqiptar në Jugosllavi nga mesi i viteve ’50 deri në vitet ’80. Një shkrimtar, gazetar, folklorist, pedagog, kritik letrar dhe studiues, ai mbahet mend si themelues i Katedrës së gjuhës shqipe të Universitetit të Shkupit, dhe kryeredaktor i revistave me bazë në Shkup si Flaka e vëllazërimit, dhe Jehona.
Portali Almakos edhe në të kaluarën është marr me trajtimin e rastit në fjalë.
Lexo edhe: Gjykata në Shkup konstaton diskriminimin etnik të dy shqiptarëve (VIDEO)




