Sot në Qeveri pati një takim mes kryetarit të komunës të Bogovinës, Albon,Xhemaili dhe ministrat e Bujqësisë, Ekologjisë, Punëve të Brendshme dhe të Pushtetit ku u diskutua problemi me ujësjellësin e fshatit Siniçan që vazhdon prej disa ditësh.
Ministri Nuhiu theksoi se prania e policisë në vendin ku po bëhen punimet është me kërkesë të banorëve të fshatrave në mënyrë që të shmangen konfrontimi mes banorëve të Siniçanit që kërkojnë ujësjellësin dhe atyre të Urviçit që e kundërshtojnë e pretendojnë se burimet e bjeshkëve u përkasin atyre.
Nga sa u prezantua në takim, u konkludua se komuna ende nuk ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Siniçan. Për të zgjidhur më shpejt problemin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për banorët, zyrtarët e pranishëm qeveritarë shprehën gatishmërinë që Qeveria të mbështesë të gjitha palët e interesuara dhe të ndihmojë komunën në sigurimin e dokumentacionit teknik të nevojshëm, në mënyrë që të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e furnizimit me ujë për popullsinë në këtë vendbanim.