Prodhuesi kinez i telefonave, Xiaomi, po hyn në industrinë e veturave. Aktualisht janë në fazën e prodhimit-provë të veturës së parë, e cila ka nisur më pak se një muaj më parë. Fabrika në Pekin aktualisht prodhon rreth 50 prototipa në javë.
Me miratimin e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës, Xiaomi do të fillojë prodhimin masiv të veturës së tij të parë.
Xiaomi tashmë ka filluar të punësojë njerëz muajin e kaluar. Prodhuesi i telefonave aktualisht është duke rekrutuar dhe procesi i punësimit është dinamik dhe shumë i rreptë. Departamenti i Burimeve Njerëzore po punon për të punësuar 100 persona të rinj në prodhim dhe disa burime pohojnë se disa nga aplikantët, të cilët kanë punuar në Mercedes dhe Tesla, nuk plotësojnë kriteret e larta të Xiaomit, shkruan BBC.
Procesi i gjerë i rekrutimit do të fillojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, kur pritet prodhimi masiv.
Bazuar në sipërmarrjet e përbashkëta kineze-të huaja në Kinë, si ato të praktikuara nga Volkswagen ose Toyota, rritja e prodhimit në 10 mijë njësi në muaj kërkon një periudhë kohe prej rreth katër muajsh, ndërsa arritja e kapacitetit të plotë kërkon edhe një vit të tërë, sipas ekspertëve. duke shtuar se procesi varet nga shitjet dhe ngritja e linjës së prodhimit. Xiaomi është shumë ambicioz, kapaciteti i planifikuar i prodhimit të fabrikës në fazën e parë është 150 mijë njësi në vit.
Vetura do të ofrojë kapacitet baterie prej 101 kWh, i cili lejon autonomi prej 800 km në versionin me motor elektrik.
Xiaomi synon të hyjë në tregun e sedanëve nën 27 mijë dollarë për të konkurruar me rivalët si Tesla Model 3, BYD Seal, Deepal SL03 dhe dhjetëra sedanë të tjerë kinezë EV që janë shumë të kërkuar në treg. Veturat e para do të shiten në Kinë, më pas në Evropë dhe në fund në tregun amerikan.