Kompania shqiptare “SAGEN DOOEL” nga industria farmaceutike me seli në Tiranë, ka në plan të investojë mbi 20 milionë euro në ndërtimin e një fabrike në Shkup. Lajmin e bëri të ditur sot ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Drejtori i Zonës së lirë ekonomike në Shkup, Mitko Mlladenovski,, prezantoi detajet e këtij investimi, shkruan Gazeta Lajm.
“Bëhet fjalë për kompaninë “SAGEN DOOEL” nga industria farmaceutike e cila ka selinë në Tiranë, Shqipëri. Vlera e investimit të planifikuar do të jetë mbi 20 milionë euro dhe ka në plan të hapë rreth 300 vende pune. Investimi është ndarë në tri faza, kurse për nevojat e saj në Zonën e Lirë Ekonomike Shkup 1 është marë me qira parcelë prej 28 mijë metrave katrorë “, tha Mlladenovski.
Ndryshe kryeministri Zoran Zaev përmes rrjeteve sociale bëri të ditur se janë në procedurë 8 investime të reja në vlerë prej 75 milionë eurove pa asnjë denar të harxhuar për promovim, për dallim nga qeveria VMRO-BDI e cila për tërheqje e 23 investitorë brenda 7 viteve harxhoi 223 milionë euro.