Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër A.A., drejtor dhe pronar i firmës “Arman Kompani” nga Shkupi, për dyshime të bazuara për vepër penale të shmangies së tatimit, e paraparë në nenin 279, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Policisë Financiare, A.A., në periudhën nga 1 janari 2020 deri më 25 dhjetor 2024, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal dhe për kompaninë, ka përvetësuar mall tregtar – produkte të thata – në vlerë prej 53.257.786 denarësh, të cilat nuk i ka regjistruar si mungesë në evidencën kontabël. Për këtë arsye, ai nuk ka llogaritur, raportuar dhe paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me normë 5% në vlerë prej 2.662.889 denarësh dhe tatim fitimi me normë 10% në vlerë prej 5.325.778 denarësh.
Gjithashtu, sipas Policisë Financiare, i denoncuari për obligime të vjetra ndaj furnitorëve më të vjetra se tre vite, në shumë prej 40.903.524 denarësh, të cilat datojnë nga viti 2020 dhe nuk janë paraqitur si të ardhura në bilancin e të ardhurave dhe në bilancin tatimor për vitin 2023, nuk ka llogaritur, raportuar dhe paguar tatim fitimi me normë 10% në vlerë prej 4.090.352 denarësh.
Për të fshehur këto veprime, A.A. nuk ka përgatitur dhe nuk ka dorëzuar bilancet përfundimtare për vitet 2021, 2022 dhe 2023 në Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe në Regjistrin Qendror, duke mos llogaritur, paraqitur dhe paguar tatime për baza të ndryshme në shumë të përgjithshme prej 12.079.019 denarësh, me çka ka dëmtuar Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.