Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska pret që në fillim të vitit të ardhshëm Maqedonia të ulet përfundimisht në tryezën e Aleancës së Atlantikut të Veriut, ndonëse pa të drejtë vote. Numri “një” i mbrojtjes pret që procesi i anëtarësimit në NATO të zhvillohet pa pengesa paralelisht edhe me ndryshimet kushtetuese. Sheqerinska bëri të ditur se më 6 dhjetor vendi do ta prezantojë programin me reformat e mbetura që Brukseli i kishte parashtruar në takimin e fundit të dy delegacioneve. Sundimi i të drejtës, të drejtat e njeriut, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, janë çështjet kryesore në këtë listë.
Funksionimi i të shtetit të së drejtës, funksionim i sistemit ku edhe gjyqësori edhe prokuroria do të punojnë pa presione, do të punojnë të pavarura dhe në mënyrë profesionale. Pjesa më e madhe e këtyre ligjeve i paralajmëruam në planin tonë për anëtarësim në BE, bëhet fjalë për ndryshime më kodin penal, procedurën penale, prokurorinë publike, këshillin penal, pakoja e reformave në gjyqësor është e domosdoshme për NATO dhe BE” – theksoi Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes
Nëse vendi përmbush të gjitha obligimet në kohë pritet që Ministri i Jashtëm Nikolla Dimtrov përmes një letre ta njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se vendi është i gatshëm t’i respektojë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit. Sheqerinska tha se pret që në shkurt Aleanca ta përgatisë protokollin për anëtarësim ndërsa më pas të vijojë procesi i ratifikimit nga shtetet anëtare të NATO-s. Nëse respektohen të gjitha afatet Maqedonia në prill të vitit 2020 pritet të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s.

