Komiteti iHelsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon ashpër fushatën e ripërtërirë të rehabilitimit dhe glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës dhe bashkëpunëtorit të okupatorit Dragoljub Drazha Mihailoviq.
Hapja e një muzeu privat dhe vendosja e një monumenti në Beograd kushtuar liderit të bashkëpunimit me fashizmin dhe komandantit të lëvizjes që kreu gjenocid ndaj popullatës myslimane gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas komitetit përfaqëson një lloj faltoreje.
“Ne e konsiderojmë një hap tjetër në drejtim të fashizmit të përshpejtuar të shoqërisë”.
Sipas këtij komiteti, për trendet negative të përmendura janë përgjegjës shumë faktorë – kryesisht qeveria aktuale dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe Kisha Ortodokse Serbe, pjesë e elitës akademike dhe kulturore.
“Ju kujtojmë gjithashtu se lavdërimi i Drazha Mihailoviqit provokon edhe më shumë fqinjët tanë në rajon dhe se kjo do të rrisë pashmangshëm shkallën e pasigurisë së të gjitha kombësive joserbe në Serbi dhe do të ketë një efekt veçanërisht të keq në rajonin e brishtë të Sanxhakut. Në këtë kontekst, filmi revizionist për shpëtimin e pilotëve amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse fatkeqësisht mori mbështetjen e pandarë të Ambasadës Amerikane, është një hap prapa në stabilizimin e rajonit dhe në demokratizimin e Serbisë”, thuhet në reagim.
“Nuk duhet harruar se trupat nën komandën e Mihailoviqit, i cili po rehabilitohet dhe heroizohet pa pengesa dhe me pëlqimin e gjithë shoqërisë, janë përgjegjës edhe për krime të rënda lufte kundër civilëve në Serbinë e pushtuar. Çetnikët vranë qindra civilë dhe fshatarë, dhe vendet më të mëdha të vrasjeve ishin fshatrat Vraniq afër Beogradit dhe Drugovac afër Valjevës. Autoriteteve në Serbi do t’u duhet t’ua shpjegojnë këto prirje të rehabilitimit të fashizmit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe kuislingëve pasardhësve dhe të mbijetuarve të masakrave të lartpërmendura”
Sipas po këtij komiteti, shqetësues është edhe fakti që me rehabilitimin e Drazha Mihajlloviqit dhe qëndrimin jokritik ndaj fashizmit, bëhet një devijim nga vlerat liberale mbi të cilat mbështetet Evropa moderne dhe për të cilat gjoja aspiron Serbia.



