Komiteti i Helsinkit i Maqedonisë (KHM) iu ka ofruar asistencë ligjore 5,379 punëtorëve në 82 kompani të konfeksionit në industrinë e tekstilit gjatë periudhës shkurt-dhjetor, në kuadër të projektit për fuqizim ligjor të punonjëseve të tekstilit për vetë-përfaqësim, njofton Portalb.mk.
Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë ka iniciuar 37 procedura administrative për shkeljen e të drejtave të punonjësve të tekstilit, thuhet në informacionin e publikuar të mërkurën nga KHM. Inspektorët kanë vërtetuar shkelje të të drejtave në katër procedura. Në 12 proceduara nuk janë vërtetuar shkelje, ndërsa për 21 procedura ende nuk ka përgjigje. Ekipet për asistencë juridike falas kanë përgatitur 37 kërkesa për inspektim të jashtëzakonshëm, kanë përgatitur 5 ankimime dhe kanë ofruar 444 këshillime ligjore. Nga shkurti deri në dhjetor me projektin janë mbuluar 5,379 punëtorë në industrinë e tekstilit në 17 vende, kryesisht në Maqedoninë lindore, më së shumti në Shtip 2.131, 1.109 në Koçanë, Probishtip 1,076 dhe në Makedonska Kamenicë – 830 punonjës/e.
– Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur – Maqedoni po e zbaton projektin “Fuqizimi ligjor i punonjësve të tekstilit për vetë-përfaqësim”. Një nga aktivitetet në kuadër të këtij projekti është lëshimi i infografikëve me qëllim të informimit të publikut mbi gjendjen e të drejtave të punonjësve në industrinë e tekstilit, rastet e shkeljeve të raportuara, procedurave të iniciuara para inspektorëve kompetent dhe gjykatave dhe shkeljeve të vërtetuara – njoftoi KHM.
Punonjësit e tekstilit janë veçuar si kategori veçanërisht e lëndueshme dhe në thirrjen për pagesë të kompensimit për pushim vjetor (K-15), që KHM e publikoi javën e kaluar.
– U bëjmë thirrje të gjitha sindikatave të ndalen në anën e mbrojtjes së punonjësve dhe nga afër të monitorojnë situatën me pagesën e regresit për pushim vjetor, sidomos në fabrikat e tekstilit dhe të lëkurës ku ka të themeluara sindikata. Në fund, i ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë punonjësit, veçanërisht ato të industrisë së tekstilit, lëkurës dhe këpucëve edhe më tej të vazhdojnë me raportimin e shkeljeve të të drejtave të punonjësve – apeloi Komiteti i Helsinkit.
Organizata u bëri thirrje punonjëseve të tekstilit të raportojnë shkelje të të drejtave të punonjësve dhe diskriminimit dhe të kërkojnë asistencë ligjore falas në ambientet e shoqatës “Glasen tekstilec”, në rr. Sutjeska nr. 59, Shtip, dhe në numrat e telefonit 032 307 377 dhe 078 452 510.