Kanë kaluar gati dy javë nga tragjedia në Koçan dhe Kuvendi ende po i shtyn seancat e tij, përfshirë edhe seancën e pyetjeve parlamentare. Është e papranueshme dhe e papërgjegjshme që deputetët të mos mbajnë seanca në momentin e një tragjedie të tillë, kur qytetarët presin përgjigje, kur duhet analizuar sistemi dhe të miratohen hapat e ardhshëm që mund të ndërmarrë Kuvendi në kuadër të kompetencave të tij, thonë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Prandaj ata kujtojnë se funksioni legjislativ i Kuvendit është vetëm një nga funksionet themelore kushtetuese që ka. Kuvendi ka funksion përfaqësues dhe mbikëqyrës, dhe pyetjet parlamentare janë një nga format themelore të mbikëqyrjes mbi punën e Qeverisë dhe bartësve të tjerë të funksioneve publike.
“Kuvendi ka mekanizma përmes të cilëve mund të veprojë, siç është formimi i trupave punues të përhershëm dhe të përkohshëm për çdo çështje me interes publik. Në këtë rast konkret, sipas nenit 76 të Kushtetutës, Kuvendi mund të krijojë një komision hetimor për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik dhe konstatimet e tij mund të përbëjnë bazën për përcaktimin e përgjegjësisë së titullarëve të funksioneve publike.
Prandaj, është e pakuptueshme që Kuvendi, duke i pasur këto mekanizma në dispozicion, në vend që t’i përdorë, vendosi të mos mbajë seanca. Është logjike të shtrohet pyetja se cila është nevoja e ekzistimit të organit më të lartë përfaqësues të qytetarëve, kur përfaqësuesit e zgjedhur që e përbëjnë atë kanë vendosur të heshtin para qytetarëve që kanë zgjedhur në një kohë kur ata kanë më shumë nevojë për to”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Helsinkit.