Ndryshimet në Kodin Penal kaluan filtrin e parë parlamentar në Komisionin e sotëm për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Propozuesit e ndryshimeve janë nëntë deputetë nga shumica, të cilët besojnë se ndryshimet do të çojnë në një shtrëngim të politikës penale derisa të hartohet një Kod i ri Penal.
“Shtrëngohet politika penale e krimit dhe shtohet një paragraf i ri 5, që gjithashtu kriminalizon abuzimet e prokurimit publik. Është e rëndësishme që prokurimi publik të vihet në një linjë, sepse shpenzimi përmes prokurimit publik është praktikisht një humbje e parave popullore, e parave publike dhe kjo duhet të vihet në përputhje me ligjin. Për më tepër, në punën e pandërgjegjshme në shërbim, shtohet një element i ri, përfitim, i cili inkorporohet dhe është pasojë e një vepre penale”, deklaroi Lupço Prenxhov, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Sipas opozitës, ndryshimet në kodin penal janë të pranueshme, megjithatë thonë se para se të miratohen, duhet të organizohet një debat publik në Kuvend, në të cilin do të dëgjohet mendimi i publikut.
“Ne dorëzojmë kërkesë si grup parlamentar për të organizuar një debat publik, që midis dy leximeve të dëgjohet mendimi i të gjithë atyre që janë relevantë për të dhënë një mendim për këto zgjidhje, që në bazë të tyre, nëse biem dakord, së bashku të bëjmë ndryshime në këtë zgjidhje”, tha Sonja Mirakovska, deputete e PRSD-së.
Propozimi u pranua njëzëri dhe propozuesit premtuan se ndryshimet do të miratohen duke pranuar pikëpamjet dhe sugjerimet e të gjithë aktorëve. Derisa Kuvendi tashmë po debaton për ndryshimet në Kodin Penal, një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë po përgatit Ligj krejtësisht të ri, në të cilin duhet të zbatohen rekomandimet nga Bashkimi Evropian. Qeveria premton një Kod të ri Penal me një politikë të shtrënguar, do të thotë të riparojë dëmet nga ndryshimet e bëra në vitin 2023, që kanë çuar në raste të vjetruara të korrupsionit të profilit të lartë. /Alsat.mk


