Kuvendi i Maqedonisë aprovoi kërkesën e shumicës parlamentare që marrëveshja e emrit të ratifikohet me procedurë të shkurtuar. Kjo nxiti reagimin e opozitës maqedone, e cila u kërcënua se do të bojkotojë seancën nëse ratifikimi i marrëveshjes nuk bëhet në procedurë të rregulltë.
Deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski nuk saktësoi nëse opozita do të bojkotojë vetëm seancën kur do të ratifikohet marrëveshja apo bojkoti do të jetë i përgjithshëm i Kuvendit.
Kordinatori I VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, akuzoi pushtetin për shkeljen e vazhdueshme të rregullores së Kuvendit duke anashkaluar Komisionin e politikës së jashtme, i cili drejtohet një deputet i opozitës.
”Marrëveshja është e njëanshme, që do të thotë se shteti jonë tash ka ultimatum. Ky është kapitullim, marrëveshja është një gjenocid bashkëkohor për ekzistencën tonë. Ai është i njëanshëm. Me këtë marrëveshje nuk ka ndonjë përgjegjësi të dyanshme. Ne e ndërrojmë emrin. Ne thyhemi dhe nuk kemi vetëvendosje por ne shkilemi. Shkelet Kushtetuta dhe rendi kushtetutes” akuzoi nga foltorja e Kuvendit, deputeti Danev.
Shumica parlamentare i ka hedhur poshtë pohimet e opozitës. Kordinatori i grupit parlamentar të LSDM, Tomisllav Tuntev shprehu keqardhje për qëndrimin e VMRO-DPMNE-sw kundër marrëveshjes duke porositur atë që energjinë ta përqëndrojnë në pastrimin e krimit në rradhët e saj
“Marrëveshja për të cilën duhet të qartësohet është akt patriotik. Kjo marrëveshje garanton identitetin. Shumë gjatë ishim në izolim, pa prosperitet pa ardhmëri për fëmijët tanë. Këto janë kohëra pozitive. Ajo me çka fitojmë nga marrëveshja është e pa çmueshme sepse garanton sigurinë dhe stabilitetin”, tha Tuntev.
Ai shtoi se me ratifikimin e marrëveshjes do të sigurohet ftesa për në NATO dhe datë për nisjen e bisedimeve me BE-në.
Në ndërkohë, Komisionin për Çështje Europiajne, miratoi marrëveshjen duke i hapur rrugë nesër ratifikimit të saj në seancën plenare. Seancën e Komisionit, ashtu siç ishte paralajmëruar, u bojkotua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Përgatiti: Evi Shkopi