Me shtatë vota “për”, pa asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur”, kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, Artin Islami dhe Feuzi Xhaferi, morën mbështetjen e Komisionit parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime.
Propozimin për emërimin e tyre e paraqiti deputeti i VLEN, Bekim Qoku, i cili vlerësoi se përvoja dhe profesionalizmi i dy kandidatëve do të kontribuojnë në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj Këshilli Gjyqësor.
Islami dhe Xhaferi ishin pjesë e listës prej shtatë kandidatësh që aplikuan në konkursin për plotësimin e vendeve në Këshillin Gjyqësor. Ndërkohë, filtrin e Komisionit nuk e kaluan kandidatët Sabedin Dauti, Shpresa Dauti, Elvir Iseini, Fatmir Emrullai dhe Fadil Xhelili.
Për t’u bërë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, kandidaturat e Islamit dhe Xhaferit duhet të marrin miratimin edhe në seancë plenare të Kuvendit. Ky është tentimi i tretë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor.

