Spitali privat “Sante Plus” ka reaguar përmes një kumtese, duke përgënjeshtruar se 31 vjeçarja nga Kërçova e cila ndërroi jetë të enjten e shkuar gjatë procesit të lindjes, ka vdekur në këtë spital. Në reagim thuhet se nga ana e tyre është bërë gjithçka e mundur dhe se përpara se Dëbora Xhambazi të ndërrojë jetë është dërguar në Klinikën për anestezion reanimacion dhe kujdes intenziv në Spitalin shtetëror në Shkup.
Në reagim poashtu thuhet se Xhambazi kontrollet e shtatzënisë nuk i ka kryer në këtë spital dhe se komplikimet të cilat i ka pasur e ndjera, kanë qenë të paparashikueshme. Por nga Klinika për anestezion reanimacion dhe kujdes intenziv në Spitalin shtetëror në Shkup thonë se e ndjera në Klinikën e tyre është sjellë e vdekur.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë marrë të gjitha masat ligjore lidhur me rastin e lehonës që ndërroi jetë javën e kaluar. Ditë më parë kjo ministri formoi komision i cili do të shqyrtojë rastin me qëllim të zbardhjes së shkaqeve që shpiu deri në këtë tragjedi. Siç njoftojnë nga dikasteri i Shëndetësisë, deri më tani nuk ka detaje nga shqyrtimi i këtij komisioni ndërkohë që shtojnë se ditëve në vijim do të zbardhen rezultatet e punës së të njëjtit.
/Alsat-M/