VMRO ka marrë edhe një mbështetje tjetër në përjekjen për të parandaluar shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski nga Kuvendi.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka sjellur vendim se shkarkimi i Zvërlevskit është në kundërshtim me ligjin. Sipas këtij Komisioni, nuk duhet të ketë emërime as shkarkime pas shpallje së zgjedhjeve.
“Edhe ky vendim është në përputhje me vendimet e mëhershme se nuk ka emërime e shkarkime pasi të shpallet data e zgjedhjeve. Ky ishte mendimi në katër ose pesë cikle zgjedhore, në atë mendim ngelemi edhe tani”, vlerësoi Komisioni Antikorrupsion.
Ky vendim i Komisionit vjen pas kërkesës së VMRO-së. Megjithatë, më herët kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se mendimet e Komisionit nuk janë të detyrueshme për Legjislativin.

