Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme njëzëri ka hedhur poshtë ankesat e koalicionit të udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë që ka të bëjë me punësimet publike në vazhdën e fushatës parazgjedhore, të cilat sipas LSDM-së janë në kundërshtim me nenin 8 të kodit zgjedhor.
Ankesat e LSDM-së kishin të bëjnë me punësimet në “SHA Posta e Maqedonisë” (Shkup), EN “Teatri për fëmijë dhe të rinjtë”, dhe kundër partisë politike VMRO-DPMNE për fillimin e ndërtimeve në fshatin Zrnovci në kohë zgjedhjesh.
Anëtarët e komisionit shqyrtuan secilën ankesë për çka thanë se kanë marrë përgjigje nga institucionet e përmendura në ankesë.
Anëtari i Komisionit, Goran Milenkov, duke folur për ankesën kundër Ministrisë së Drejtësisë për shpalljen për 6 noterë në kohë të procesit zgjedhor, tha se përgjigja e Ministrisë është se nuk përputhen datat e shpalljes së konkursit dhe ato të Gazetës Zyrtare, sepse siç tha, konkursi është shpallur para procesit zgjedhor.
Lëndën ankimore për punësime në Postën e Maqedonisë e në kohë zgjedhjesh u elaborua nga anëtarja e Komisionit, Suzana Taskova-Axhikotareva e cila sqaroi se Posta ka bërë transparent pëlqimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve nga buxheti i shtetit për këtë vend pune, si dhe për një tjetër, punonjës sporteli me arsyetimin “për nevojën urgjente për punësimin të një sportelisti”.
Komisioni njëzëri ka refuzuar edhe ankesën për punësim në EN “Teatri për fëmijë dhe të rinjtë”, pasi siç tha referenti i lëndës Sejdi Halili konkursi i shpallur më 16.11.2016 për punësimin e dy aktorëve në kohë të pacaktuar, sipas nenit 8-a, paragrafit 1, alinea 4 nga Kodi Zgjedhor, parasheh ndalesë për punësime, mirëpo lejon punësimet nëse të njëjtat janë të domosdoshme.
Në përgjigjen e Komisionit për refuzimin e ankesës kundër partisë politike VMRO-DPMNE u tha se dokumentacioni të cilin e kanë marrë nga komuna Zrnovci është se akoma nuk kanë filluar punimet për ndërtimin e një kopshti për fëmijë, por se i tërë dokumentacioni ka qenë i kompletuar para zgjedhjeve./AA