E shkuara e Dritan Gjikës, një nga narkotrafikantët më të mëdhenj dhe aktiviteti i tij kriminal, i fshehur në profilin e biznesmenit, ishte temë e emisionit “Në Shënjestër” në News24, këtë të martë.
Në Shqipëri emri i 49-vjeçarit nga Shkodra ka mbetur gati i panjohur edhe pse duket e habitshme se si një burrë mbi të 30-tat si ai, arriti të zhvendosej në këtë moshë në Ekuador dhe nga aty në harkun e pak viteve të kthehej në një nga narkotrafikantët më të mëdhenj të globit, me një pasuri prej pothuaj 51 milion euro, të llogaritura vetëm si asete të gjetura nga policia ekuadoriane.
Po kush është Dritan Gjika, sot 49 vjeç, që më 26 Maj të këtij viti, u arrestua në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe?
Shqiptari nga Shkodra, që për të kishte dy kartela të kuqe njoftimesh nga Interpoli, në akuzat për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale i cili u ndalua në strehën më të madhe të kriminelëve të botës, falë një operacioni të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, në bashkëpunim me kolegët e tyre në Abu Dhabi dhe në Spanjë.
Falë punës hetimore dhe shkëmbimit të informacionit përmes programit PACHTO 2.0. Gjika, banesa e të cilit në një lagje luksoze në periferi të qytetit të Guajakil në Ekuador ishte bastisur edhe në shkurtin e vitit 2024.
Por ai nuk ishte gjendur brenda vilës ngjyrë bezhë, aty ku kishte lënë të vetme gruan dhe vajzën e tij të vogël si edhe shumë armë zjarri, të cilat u sekuestruan nga Policia Kombëtare Ekuadoriane.
Personazhi që kishte mbërritur në Ekuador si një vizitor i përkohshëm, por që shpejt ishte kthyer në një nga baronët e drogës jo vetëm brenda këtij shteti latin, por edhe më gjerë duke përmbytur botën me drogë.
Historia pak a shumë e ngjashme e çdo krimineli të sërës së tij, që ishte kthyer sidomos në shqetësim për një vend si Spanja.
Por edhe Belgjika dhe Holanda. Aty ku kishte mundur të dërgonte tonelata me kokainë. Gjë që e kishte mundësuar njëkohësisht edhe në Amerikën Qendrore.
Ndërsa brenda një nate policia në Spanjë, në një operacion të gjerë, kishte mundur të arrestonte vetëm 31 anëtarë të organizatës së drejtuar nga Dritan Gjika.
Një portret në dukje i kuruar, me një buzëqeshje shumë larg vrazhdësisë së drejtuesve tashmë të njohur të karteleve të drogës në Amerikën e Jugut.
Por që kishte mundur të kamuflonte fare mirë aktivitetin e vërtetë, përtej atij të një biznesmeni të nderuar që kishte ndërtuar për vite me radhë.
Që nga viti 2013, kur kishte mundur të fitonte pas 4 vitesh qëndrimi në Ekuador, shtetësinë e vendit, rendin dhe sigurinë e të cilit më pas do e trazonte herëpashere me bëmat e tij.
Duke u kthyer në një pioner të trafikut të kokainës nga Kolumbia për në Ekuador dhe më pas Evropën Kontinentale apo në pjesë të tjera të botës.
Tonelata me kokainë që u gjetën edhe në një nga bastisjet që policia ekuadoriane bëri në një nga depot e magazinimit të sindikatës së Gjikës, pasi ky i fundit ishte zhdukur pa gjurmë gati një vit më parë.
Një gjenialitet i lindur apo i mësuar, fakt është që Dritan Gjika e nisi mbulimin e aktivitetit të tij të vërtetë kriminal si një biznesmen. Duke u kamufluar si një sipërmarrës që në vitin 2014.
Fillimisht duke hapur dyqane. Dhe më pas duke krijuar dalëngadalë mbretërinë e tij të drogës. Si dhe një ushtri të madhe njerëzish që i bindeshin dhe i shërbenin, që i rrinin pas vetes. Ku gjjithmonë rezidenca e tij ishte Guajakil, qyteti port më i rëndësishëm i Ekuadorit.
Aty nga ku lëvizte fijet dhe kryente operacione të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ekuadori, që do të kthehej në atdheun e tij të vërtetë.
Që jo vetëm do i siguronte para që as nuk i kishte ëndërruar në një jetë tjetër, por edhe pushtet.
Pasi me forcën dhe karizmën e tij ai arriti që të korruptonte edhe qeveritarë në rangje të larta të drejtimit politik në vendin amerikano-jugor.
Por edhe zyrtarë të lartë në polici, të cilët do të mbyllnin sytë dhe do të bëheshin ura nga ku ai do të kalonte i pashqetësuar tonelatat me drogë, që vinin fillimisht nga Kolumbia dhe më pas stacionoheshin në portin e qytetit të Guajakil, zemra ekonomike e Ekuadorit.
Aty ku më tej merrnin rrugën oqeanike të qumështit të bardhë dhe do të helmonin Evropën dhe pjesë të tjera të globit.
Një karrierë në biznes e shpejtë në ngjitje që e pa Dritan Gjikën, në vitin 2014, vetëm një vit pasi kishte marrë shtetësinë ekuadoriane, të blinte fillimisht bashkë me një shqiptar tjetër, një kompani të quajtur Cresmark S. A.
Një kompani që merrej kryesisht me eksporte, ku ai mori rolin e drejtorit të përgjithshëm. I njëjti vit kalendarik, ku po Gjika arriti të themelojë bashkë me ortakun e tij ekuadorian, Ruben Cherres, një kompani ndërtimi. Cherres kishte më vete një historik të tijin personal për trafik droge.
Ku gjatë një bastisje që i ishte bërë nga policia ekuadoriane i ishin gjetur 108 pako me kokainë. Por që në vazhdim për shkak të lidhjeve që kishte me kunatin e presidentit ekuadorian Guillermo Lasso dhe disa dëshmive kontroversce në gjyq në favor të tij, ai mundi të dalë i larë në këtë histori.
Lidhja e Cherres me Dritan Gjikën dhe pikërisht bashkëpunimi okult me nivelet e larta të drejtimit në Ekuador, që e bënë shqiptarin një personazh jo thjesht të pushtetshëm, por gati të pathyeshëm në vendimamarrjet e tij në botën e narkotikëve.
Është disi e habitshme të mendosh se si ky personazh që zbriti në Ekuador, pa ndonjë influencë të veçantë, arriti të kishte një pozitë të tillë të admirueshme brenda pak viteve. Duke vendosur diktatin e tij të pazëvendësueshëm në punë që deri më parë i përkisnin si ekskluzivitet vetëm karteleve vendase të drogës.
Por studiuesit e fenomenit Gjika besojnë se ai mund të jetë shembulli i rastit tipik, njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur. Siç mund të ketë ndodhur edhe në rastin e tij.
Duke shfrytëzuar pikërisht momentin kur Fronti 48, një fraksion i dalë nga FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë) në luftë të përjetshme me qeverinë kolumbiane, edhe pse u arrit një marrëveshje paqe, këta të fundit, nuk pranuan të dorëzonin armët.
Duke mbajtur kështu territoret e tyre në kufirin midis Kolumbisë dhe Ekuadorit. Por që në mungesë të blerësve ndërkombëtarë të kokainës që prodhonin në territoret e tyre, ata u lidhën me Constru-n.
Një rrjet trafikimi droge që dominonte rrugët për në provincën Sucumbíos të Ekuadorit. Ku mendohet që një nga blerësit e kësaj kokaine të ketë qenë edhe vetë shqiptari Dritan Gjika.
I cili nga ana e tij e filloi tregtinë fillimisht me kuintalë me drogë, dhe më pas me tonelata. Të cilat i fshihte dhe eksportonte nëpërmjet kontejnerëve të kompanisë që kishte themeluar në vitin 2014.
Apo të tjerave me të cilat ishte lidhur ndërkohë dhe që bashkëpunonte ngushtësisht. Por kërkesa e madhe për drogë, sidomos në tregjet evropiane, bëri që shpejt të rritej edhe vetë kërkesa për emrin e personazhit të Dritan Gjikës, si një pikë referimi në tregun e kokainës në Amerikën e Jugut.
Kjo u pa edhe në vitin 2018, kur Gjika bleu aksione edhe në një tjetër kompani eksporti, të quajtur ‘Agricomtrade’.