Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku ka reaguar ndaj BDI lidhur me qeverisjen e kaluar të tyre duke theksuar se gjithçka çfarë kanë bërë ka qenë e deformuar ose përdorur në funksion të padrejtësisë, degradimit dhe përjashtimit të shqiptarëve.
“Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore, regjistrimi i popullsisë, shpërndarja e drejtë e buxhetit të shtetit, investimet kapitale në zonat shqiptare, krijimi i zonave të lira ekonomike, trajtimi i rasteve të montuara në sistemin e drejtësisë, si dhe hartimi i teksteve shkollore me ngjyrim racist ndaj shqiptarëve.
Të gjitha këto janë deformuar ose përdorur në funksion të padrejtësisë, degradimit dhe përjashtimit të shqiptarëve. Çfarë është mbjellë me mbrapshti këto 20 vjet, ne do ta korrim për shumë vite me radhë. Çdo veprim me interes kombëtar po u shembet si kullë letrash. Kjo sepse kanë menduar dhe vepruar sipërfaqësisht, si fasadë, sa për sy e faqe. Thelbësisht dhe konkretisht kanë menduar e vepruar vetëm për t’u pasuruar, vetveten dhe familjen. Por kjo nuk do të thotë se duhet të qëndrojmë duarkryq. Koha është për një përballje me të vërtetën, për drejtësi dhe barazi të vërtetë. Koha është për veprim të përbashkët”, theksoi Qoku.