20 June
Në parim të gjitha partitë politike me përjashtim të VMRO – DPMNE-së janë që zgjedhjet ardhshme parlamentare të mbahen me lista të hapura dhe në një njësi zgjedhore. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev tha se në Maqedoni mund të ketë zgjedhje të besueshme dhe demokratike vetëm nëse Maqedonia bëhet me një njësi zgjedhore nga gjashtë sa janë tani.
LSDM në periudhën e kaluar ka përkrahur që të ketë ndryshime në modelin zgjedhor. Thjeshtë, këtë nevojat e kërkuan dhe LSDM ka plan që seriozisht të bisedojë me të gjithë subjektet politike por kjo është çështje e konsensusit. Patjetër të gjithë të pajtohen sepse qëllimi ynë është të sigurohen zgjedhje fer, demokratike dhe kredibile – deklaroi Tomisllav Tuntev, LSDM.
Mirëpo nga BDI u shprehën të pasigurt. Kryetari i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Halimi tha se për momentin në parti janë duke u bërë analiza për këtë çështje.
Ne do të bëjmë analizat tona si parti politike dhe do të japim qëndrimet pasi të bëhen të gjitha këto analiza – theksoi Ejup Halimi, BDI.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli tha se partia të cilin ai përfaqëson për momentin është në proces të përpilimit të propozimit për ndryshim në sistemin zgjedhor, por sipas tij koalicioni “Rilindje me Besë” pajtohet se Kodi Zgjedhor duhet të pësojë ndryshime të caktuara.
Kodi zgjedhor është një nga çështjet më të rëndësishme që qeverisja e re por jo vetëm qeverisja e re, por të gjithë partitë politike që marrin pjesë në garën politike duhet të kontribuojnë që të gjendet një modalitet ose një kod zgjedhor i cili do të ishte i përshtatshëm edhe për sistemin zgjedhor në Maqedoni por edhe për karakteristikat dhe specifikat që i kemi pasur ne si shoqëri në të gjithë këto cikle zgjedhore, që nga vitet e 90-ta e deri tash – tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.
Edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi tha se partia e tij është për lista të hapura dhe një njësi zgjedhore.
Qëndrimi ynë i vazhdueshëm dhe i platformës tonë, programin tonë, që Aleanca ka qenë për një njësi zgjedhore, për lista të hapura dhe kuptohet çdo ide dhe iniciativë që do të hapet në lidhje për sistemin zgjedhor, ne do ta mbrojmë këtë qëndrim – u shpreh Syreja Rashiti Aleanca për Shqiptarët.
Nga KSHZ-ja deklaruan për Alsat se listat e hapura mund të aplikohen edhe në zgjedhjet lokale në pjesën e zgjedhjes së këshilltarëve komunal, por kjo nuk do të jetë e arritshme për shkak të kohës së shkurtër për ndryshimet e nevojshme në Kodin zgjedhor. Aplikimi i zgjedhjeve me një njësi zgjedhore dhe listat të hapura ashtu siç praktikohen në Kosovë, mund të ketë edhe në Maqedoni thonë nga KSHZ-ja duke sqaruar se për këtë duhet të ketë nismë apo marrëveshje nga partitë për ndryshimin e kodin zgjedhor e të cilat do të implementoheshin nga KSHZ-ja si organ për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Blerim Ismaili

