Sipas televizionit grek Alfa, shefi i diplomacisë greke shumë shpejt do të vizitoj përsëri Shkupin.
Në kronikën e transmetuar në edicionin qendror të lajmeve, televizioni grek tha se po fillon një javë kyçe për negociatat, ndërsa Kocias do t’i dorëzojë homologut të tij në Maqedoni draft-marrëveshjen të cilën e ka përgatitur pala greke.
“Sipas informacioneve të Alfas, Kocias pritet që ta vizitojë Shkupin në ditët në vazhdim me fluturimin e parë në aeroportin i cili do të mbajë emrin e ri “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë me vete do të ketë dhe propozimin e Greqisë, në të cilin sipas burimit të njëjtë, në 24 orët e fundit rregullohen detajet”, publikoi televizioni grek TV Alfa.
Sipas televizionit, në draft-marrëveshjen nga ana greke, përveç emrit, do të përfshihen dhe ndryshimet në Kushtetutë të cilat Athina i kërkon nga Shkupi për “heqjen e pozitave irredentiste”. “Kur do të arrihet marrëveshje, ajo do të jetë e plotë”, deklaroi për televizionin Alfa, funksionari i qeverisë së Greqisë.