Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, ka thënë se me marrëveshjen për emrin janë marrë parasysh interesat e të dyja palëve, duke shtuar se shtetet duhet të jetojnë në paqe. Në lidhje me reagimet greke për përfshirjen e termit “maqedonas” për gjuhën dhe nacionalitet, Kocias përsëriti për TV Antena se gjuha është pranuar nga OKB në vitin 1977, ndërsa sa i përket vetëpërcaktimit, ai ka thënë se ajo është e drejtë që askush nuk mund t’ia marrë askujt.
“Në lidhje me çështjen Maqedoni dhe maqedonas, ajo është ajo që ata e kanë vendosur si temë kryesore në negociatat për të cilën nuk diskutojnë, të ruajnë vetëpërcaktimin e tyre. Ndërsa, çështja më kryesore dhe më e vështirë në negociatat është të mos ua japësh atë. Sepse, nëse e mohon të drejtën më të lartë të pranuar nga OKB dhe të drejtën ndërkombëtare për vetëpërcaktim, përkatësisht të drejtën për t’u emëruar si dëshirojnë ata. Nëse do ta bënim atë nuk do të kishte marrëveshje”, deklaroi Kocias.

