Prokurori publik i shtetit Lubomir Kocevski deklaroi mbrëmë se hetimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan ka përfunduar dhe se prej sot do të fillojë shqyrtimi i provave nga mbrojtja.
“Pas dy muaj e gjysmë hetimi përfundon sot që do të thotë se prej sot do të fillojë shqyrtimi i lëndës nga ana e mbrojtjes. Mbrojtja brenda 15 ditëve të ardhshme do të ketë të drejtë të dorëzojë prova të cilat prokuroria publike do t’i vlerësojë, ndërsa pas këtyre 15 ditëve do të sillet vendim”, ka thënë Kocevski për Televizionin 24.
Ai ka thënë se deri tani një lëndë të tillë nuk ka pasur në vend dhe se është duke u punuar në një hetim kompleks me shumë aktivitete të ndërmarra dhe se kanë qenë të përfshirë 13 prokurorë publikë.
“Në kohë rekorde janë siguruar të gjitha provat relevante që kanë qenë të rëndësishme për hetimin”, ka thënë Kocevski.
Ai ka thënë se vazhdon hetimi mbi rolin e policëve që atë natë kanë qenë në diskotekë dhe nuk përjashton mundësinë nëse sigurohen prova, hetimi të zgjerohet.
Zjarri në diskotekën “Puls” ndodhi më 16 mars ku jetën e humbën 63 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar.