Për Artan Grubin, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike (PThP) Shkup është shqiptuar masë “stop” disa ditë para arratisjes së tij. Sipas tij, oficeri i policisë duhej ta kontrollonte, përcjell Nistori.
“Nuk po japim detaje, por janë ndërmarrë veprime, të shohim nëse fajtor është vetëm polici apo ka edhe të tjerë”, ka thënë prokurori publik shtetëror, Ljupço Kocevski në një intervistë për “360 gradë”.
Duke iu përgjigjur pyetjes se a i është lejuar Grubit të arratiset, Kocevski tha se për policin është hapur procedurë në Prokurori.
“Është zhvilluar një procedurë para-hetimore, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, është shqiptuar masë “stop” disa ditë para se Grubi të kalojë kufirin. Që do të thotë se pasi të jepet ajo masë ‘stop’, në të gjithë kufijtë tanë, oficeri që kontrollon dokumentet duhet të kontrollojë dhe të shohë nëse ai person mund ta kalojë kufirin apo jo. Ministri i Brendshëm tha se bëhet fjalë për faktor njerëzor. Ndaj personit që e ka lëshuar është iniciuar procedurë në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duke qenë se bëhet fjalë për polic në detyrë zyrtare”, tha Kocevski.
Kocevski beson se nuk duhet besuar në teori të tjera përveç asaj që po përpiqet të verifikojë Prokuroria dhe për këtë ka siguruar pamjet e kamerave, po merr në pyetje dëshmitarët dhe po heton se si ka ikur ish-zëvendëskryeministri.
Prokurori i shtetit tha se personalisht nuk e di se ku ndodhet aktualisht Artan Gubi, por shpreson që duke qenë se ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, të ekstradohet në këtë vend.
Kocevski thotë se Prokuroria nuk kërkon përgjegjësi kolektive, sepse nuk ka përgjegjësi për vendim kolektiv, siç është rasti me Lotarinë Shtetërore dhe kryesimi i seancës nga Grubi për të cilin është nisur procedura.
“Nuk ka asnjë përgjegjësi për një vendim kolektiv. Bëhet fjalë për mënyrën e anashkalimit të Lotarisë Shtetërore”, tha Kocevski.
Duke qenë se në kallëzimin penal të MPB-së përmendet edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur një pyetjeje, prokurori i shtetit tha se provat aktualisht nuk e implikojnë Kovaçevskin. /Nistori/