21 May
Vendimi i Këshillit penal të mos e pranojë ankesën e Speciales me çka Sead Koçan do të mbrohet në liri, është vetëm edhe një shembull për standarde të dyfishta të gjyqësisë, thotë për Alsat M, avokati Zvonko Davidoviq. Sipas tij, ligji jep mundësi të mos përcaktohet masa e paraburgimit, por në rastin konkret nuk janë respektuar rrethanat dhe drejtësia.
E para, asnjëherë nuk ka ndodhur dikujt që ka qenë në arrati për të mos përfundojë në paraburgim, t’i hiqet paraburgimi. E dyta, kjo do të zgjasë kohë të gjatë dhe kjo ishte përgatitur. Njerëzit që i ndjekin lëndët këtë e hetuan, sepse Gjykata e apelit, pika 2 dhe 3, pra ndikimi ndaj dëshmitarëve ose të mos e përsërisë apo përfundojë veprën, i hoqi në start dhe hapi mundësinë të jepet garanci. Pikërisht këtë e bëri Gjykata supreme, ndërsa Gjykata themelore Shkupi 1, si deri më tani e luan rolin e penguesit të Prokurorisë speciale –deklaroi avokati Zvonko Davidoviq.
Biznesmeni Sead Koçan i cili është i dyshuar i parë në rastin “Trust” që e ngriti Specialja, ishte në arrati më shumë se dy muaj, ndërsa për të u lëshua edhe fletarrest ndërkombëtar. Pas vendimit të Gjykatës supreme që lëndën ta kthejë në fillim, Sead Koçan u kthye në Maqedoni dhe lirinë e tij e bleu me garanci prej thuajse 1 milionë euro dhe detyrimin që njëherë në javë të paraqitet në gjykatë. Sipas avokatit Davidoviq, dyshimi i Speciales se i dyshuari mund sërish të arratiset ose ta përsërisë veprën është i arsyeshëm, në kushte kur kompania Transmet ende fiton tenderë shtetëror.
Shumë lehtë është të merrni 20 milionë euro dhe dy milionë të jepni si garanci. Ajo që është e dyshimtë, garancia duhej të jetë më së paku aq sa i dyshuari akuzohet se ka marrë para. E dyta, ai edhe më tej fiton tenderë. Para disa ditëve kishte tender të ri gjithashtu me shumë të madhe. E gjithë kjo jep pamje të keqe, nëse mund të thuhet se ka pamje të keqe për gjyqësorin tonë, pasi ai ka rënë shumë poshtë – tha Davidoviq.
Nga Këshilli penal theksuan se Prokuroria speciale ka afat prej tre ditëve për ankesë, por vetëm për shumën e garancisë dhe për masën e shqiptuar të kujdesit. Cilat do jenë hapat e mëtutjeshëm për këtë lëndë, nga Prokuroria e Katica Janevës do të prononcohet të hënën.
Alsat-M

