Kohëve të fundit në Dibër janë realizuar shumë projekte me përkrahjen e kompanive që veprojnë në territorin e komunës. Këto ditë, kompania austriake “Knauf-Radika” në Dibër ka dhënë përkrahje të plotë për rikonstruksionin e disa kabineteve në shkollën më të madhe fillore në Dibër, “Penestia”. Drejtori i shkollës, Genc Sadiku, ka informuar se fabrika e gipsit dhe përpunimeve të gipsit “Knauf-Radika” ka dhënë përkrahje të plotë për restaurimin e disa kabineteve.
“Falë angazhimit të Bordit Drejtues të fabrikës ‘Knauf-Radika’, janë renovuar katër klasa mësimore dhe dhoma e rojeve të shkollës, duke krijuar kushte më të mira, më të sigurta dhe më të përshtatshme për nxënësit dhe stafin e shkollës. Kontributet e tilla janë dëshmi e përgjegjësisë shoqërore dhe e përkushtimit për të ardhmen e fëmijëve tanë”, thotë drejtori i shkollës fillore komunale “Penestia”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Fabrika “Knauf-Radika”, përveç aktiviteteve të deritashme në përkrahje të projekteve në disa sfera, ka paralajmëruar se kjo fabrikë me kapital të huaj do të realizojë edhe projekte të tjera në interes të komunës dhe komunitetit dibran. Ajo ka ndihmuar në aktivitetet e sportit, kulturës, festivalet etj. Ashtu do të jetë edhe në vazhdimësi. Nga pushteti vendor thonë se në takimet me Bordin Drejtues të fabrikës për gips dhe përpunimin e gipsit është biseduar edhe për përkrahjen e projekteve të tjera. Fabrika “Knauf-Radika” ka paralajmëruar, në nivel të biznesit të saj, edhe një investim prej 40 milionë eurosh për zgjerimin e kapaciteteve të reparteve të fabrikës në Dibër.



