Në shkollën fillore periferike “Vasill Gllavinov” të fshatit Kllukovec të Velesit sot nisi me punë mësuesi i ri, ashtu siç edhe paralajmëroi ditë më parë Ministria e Arsimit dhe komuna e Velesit. Mësuesi i ri Remzi Shemsedini iu bashkëngjit dy kolegëve të tij në këtë shkollë të cilët me vështirësi realizonin zhvillimin e procesit edukativo mësimor për rreth 50 nxënës të kësaj shkolle. Shemsedini ka përvojë 10 vjeçare në këtë profesion, por siç tha ai kohë më parë u largua nga puna për shkak të neglizhencës së kërkesave të njëpasnjëshme për përmirsimin e kushteve në shkollën në fjalë.
“Mos kishit qenë ju si gazetarë nuk do të realizoheshin dhe nuk do të dëgjoheshin kërkesat tona, ose zëri jonë nuk do të dëgjohej. Sot vetëm jemi lajmëruar që do të ketë mësim por prej nesër edhe zyrtarisht do të bëhet nisja e punës në shkollë. Ngaqë jam me përvojë pune 10 vjecare shpresoj që unë t’ua lehtësoj punën pak kolegëve, do t’i kisha marrë klasët e kombinuara dhe mësuesi i cili ishte mësimdhënës i ri në shkollë do t’ia lehtësoj punën, do të ketë një klasë të pastër, klasën e parë. Për mua do të jetë pak më e lehtë që të punoj me dy klasa krahasuar me tre klasë që punoja në 10 vitet e kaluara. Shpresoj se ky është fillimi i lehtësimit të problemeve që nuk kanë fund ngaqë janë grumbullu që sa e sa vite në të gjitha viset shqiptare ku ka shkolla”- tha mësuesi Remzi Shemsedini.
Ditë më parë, Ministria e Arsimit miratoi vendimin për pranimin e dy mësuesve në shkollat periferike të Velesit. Si[ bëjnë të ditur nga Komuna e Velesit, një mësues sot filloi me punë në Kllukovec ndërsa mësuesi tjetër në fshatin Buzallakovë. Vitin e kaluar, pikërisht nxënësit e kësaj shkolle bojkotuan mësimin për shkak të mungesës së mësuesve dhe kushteve të vështira për mësim. Nga Komuna e Velesit gjithashtu bëjnë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e dokumentacionit për ndërtimin e një objekti të ri shkollor, mirëpo nga Ministria e Arsimit nuk japin asnjë përgjigje lidhur me zgjidhjen e këtij problemi.
Melihate Rustemi