Zëvendës Sekretarja gjenerale e Kombeve të Bashkuara Helen Klark inkurajon që sa më shpejtë të formohet Qeveria, pasi me këto dy vite e gjysmë krize, Maqedonia po pëson shumë në zhvillim. Sipas saj, gjithkund në botë ka probleme të tilla të mosformimit të Qeverisë, por tani që në Maqedoni u bënë më shumë se tre muaj pa Qeveri, seriozisht po pësojnë institucionet dhe qytetarët të cilët votuan në zgjedhje dhe që duan të shohin që vullneti i tyre po respektohet.
“Ndonjëherë duhet më shumë kohë për tu formuar një Qeveri. Këtu për shembull zgjedhjet u zhvilluan tre muaj më parë. Nga pikëpamja e Kombeve të Bashkuara, do donim që të shohim zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, në pajtueshmëri me Kushtetutën pasi votuesit presin që vullneti i tyre të respektohet. Ky vend sigurisht që ka aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO. Bashkimi Evropian dëshiron të shohë se të gjitha ligjet zgjedhore po respektohet, për gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre. Kështu që në interes të shtetit është që sa më shpejtë të gjendet dalje nga kriza politike, në pajtueshmëri me rendin Kushtetues”, ka thënë Helen Klark, Zv/ sekretare gjenerale e Kombeve të Bashkuara, përcjell SHENJA.