Këngëtarja, Rovena Stefa, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes dhe së fundmi ka tërhequr sërish interes me një postim në rrjetet sociale.
Rovena ka ripostuar një video të vjetër të Rozana Radit, ku kjo e fundit flet për një konflikt mes tyre që kishte ndodhur vite më parë.
Në mbishkrimin e videos, Stefa shkruan: “Kjo është Rozana Radi. Në televizion kombëtar krenohet sesi ka rrahur Rovena Stefën. Për më tepër, e ka droguar me hapa gjumi për t’ia prerë flokët. Llumi i industrisë”.
Megjithatë, duket se Rovena e ka marrë situatën me sportivitet, pasi ngjarja i përket së kaluarës dhe dy artistet sot ndjekin njëra-tjetrën në rrjetet sociale.
Konflikti i tyre ka qenë një temë e komentuar edhe më parë. Rreth 15 vjet më parë, Rovena ishte pyetur për këtë raport në emisionin “Zonë e Lirë”, ku kishte mohuar të kishte ndonjë gjë personale me Rozin, duke nënkuptuar se kjo e fundit kishte folur për të në mënyrë jo të favorshme.
Në atë kohë, Rozana nuk kishte vonuar t’i përgjigjej, duke thënë se ajo nuk zihet me askënd dhe se fokusohet në profesionet e saj si poete, flautiste, aktore dhe këngëtare. “I thuaj asaj këngëtares në studio të flasë për veten dhe jo për mua”, ishte shprehur Rozana.
Me këtë ripostim, duket se Rovena ka rikthyer në vëmendje një histori të vjetër, duke lënë ndjekësit të hamendësojnë nëse ishte thjesht një kujtim apo një thumb i drejtpërdrejtë.