Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj dhe të drejtat e interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze, nëse Bashkimi Europian (BE) këmbëngul të vendosë kufizime diskriminuese ndaj produkteve kineze, u shpreh të enjten zëdhënësja e Ministrisë kineze të Tregtisë Huang Ling.
Ajo i bëri këto komente në një konferencë të rregullt shtypi, në përgjigje të raporteve të mediave se BE-ja po shqyrton zgjatjen e mirëkuptimit të arritur mes Kinës e BE-së për tregtinë e automjeteve hibride edhe në sektorë të tjerë, si industria kimike.
Sipas saj, vendosja e pengesave artificiale ndaj tregtisë normale mund të shkelë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe nuk do të ndihmonte në përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrive të BE-së, por përkundrazi, masa të tilla do të krijonin një barrë më të rëndë mbi industritë e nivelit të poshtëm, duke ngritur inflacionin në BE dhe duke minuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit.
Huang vuri në dukje se takimi i dytë i mekanizmit të konsultimeve për tregtinë dhe investimet mes Kinës dhe BE-së, i mbajtur së fundmi, shënoi përparim pozitiv dhe solli një sërë marrëveshjesh, duke treguar që të dyja palët kanë vullnetin, aftësinë dhe mençurinë për të menaxhuar siç duhet dallimet e tyre ekonomike e tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve.
Kina e ka theksuar vazhdimisht se është partnere në trajtimin e problemeve me të cilat përballet BE-ja e jo burimi i këtyre problemeve, dhe është e gatshme të forcojë dialogun e konsultimet me BE-në, të vazhdojë të kërkojë zgjidhje për shqetësimet ekonomike dhe tregtare të secilës palë dhe të promovojë ekuilibrimin dhe përparimin e tregtisë ndërmjet Kinës e BE-së, tha Huang.
Sipas saj, Kina kundërshton fuqimisht çdo praktikë proteksioniste që përfshin abuzimin me instrumentet e mbrojtjes tregtare.



