Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka ndarë emocionet e udhëtimit të tij të parë në Shqipëri në vitin 1990, duke e përshkruar këtë përvojë si një udhëtim shpirtëror drejt një vendi që e kishte idealizuar për dekada.
I ftuar në podcastin “Nazarko”, që transmetohet në RTSH 1 dhe drejtohet nga Mentor Nazarko, Mehmeti rrëfen ndjesinë e përjetuar kur kaloi kufirin, për herë të parë.
“Nuk e di si ta shpjegoj… ajo që ndjeja nuk ishte thjesht mall, për një vend që nuk e njihja, por një nevojë e thellë për të qenë aty. Ishte si të shkoja në një vend të shenjtë, si pelegrin,” tregon ai gjatë intervistës.
Mehmeti thekson se për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ishte më shumë një ide romantike sesa një realitet i njohur. Ai e përshkruan këtë ndjesi si një mit që ndërtohej në mungesë të përvojës direkte, duke e bërë Shqipërinë të duket e paarritshme dhe e pastër./RTSH