Shkrimtari Kim Mehmeti ka theksuar se të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesë hapësire dhe mbështetje.
Në një shkrim të tij, Mehmeti vlerëson se shqiptarët kanë të rinj të aftë dhe të vlefshëm, por sipas tij, ata janë lënë në hije nga politikanë të papërgatitur dhe të manipulueshëm, të cilët siç thotë ai, veprojnë më shumë në interes të palës maqedonase sesa të komunitetit shqiptar.
Ai veçon si shembull aktivistin Mevlan Ademi, të njohur për angazhimin e tij në lëvizjet studentore, përfshirë kërkesat për zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në të njëjtën kohë, Mehmeti shpreh vlerësim për ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke theksuar se ai ka sjellë një qasje të re në raport me shqiptarët në vend. Sipas tij, Meidani ka kuptuar rëndësinë e ruajtjes së “kopshtit të përbashkët të vlerave mbarëshqiptare”, pavarësisht ndarjeve shtetërore.
Shkrimtari nënvizon se ambasadori aktual është i afërt me të rinjtë dhe i njohur gjerësisht mes tyre, ndryshe nga shumë paraardhës që, sipas tij, mbetën të panjohur për publikun shqiptar në vend.
Në fund, Mehmeti bën thirrje për më shumë kujdes dhe angazhim në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të përbashkëta kombëtare.


