Nga Kim Mehmeti
Kurrë nuk e kam besuar se jetoj në një botë e cila pa aspak mëshirë do shikojë si Izraeli është duke shfarosur tërë një popull duke përdorur si armë edhe ushqimin.
Siç nuk kam besuar kurrë se i takojë një populli që ka elita si ato të botës arabe, që nuk e çelin gojën pa ua lejuar atë ‘mbreti’ dhe që shtiren se nuk e shohin si izraelitët vrasin fëmijë palestinezë.
Dhe është e vërtet se gjenocidi izraelit në Gazë do ishte i pamundur pa mbështetjen e vendeve Perëndimore dhe pa heshtjen e botës arabe.
Por për dallim nga heshtja arabe që ende vazhdon, bota perëndimore tregoi se ka ndërgjegje dhe intelektualët e saj e ngritën zërin dhe i thanë Izraelit se vepron si të ishte i drejtuar nga nazistët.
Jo sot por ka dekada me radhë që herë pas herë kam shkruar për vuajtjet e palestinezëve dhe okupimin e tokave të tyre nga hebrenjtë, jo pse kam besuar se do e ndryshoj rrjedhën e ngjarjeve, por duke dashur ta ruaj në vetvete atë që më legjitimon si njeri.
Jo sot, por qysh kur filloi sulmi izraelit mbi Gazën e kamë thënë publikisht se Izraeli nuk e ka hallin e pengjeve, por ngutet që Gazën ta bëjë të pabanueshme për palestinezët dhe që këtë popull fatkeq ta lë pa atdhe .
Jo sot, por shumë më parë e kam thënë se po të isha palestinez, më trishtueshëm do e ndjeja heshtjen e botës arabe se sa shpërthimin e bombave izraelite.
Dhje jo vetëm kaq, por i kam thëne të gjitha që do mund ta legjitimonin njeriu brenda meje.
Pra i kam thënë të gjitha lidhur me gjenocidin në Gaza jo pse besoja se bëjë ndonjë vepër shumë domethënëse në të mirën e fëmijëve palestinezë, por që të mos më rëndoj së tepërmi dhembja përderisa i ushqej dhe i përkëdhel mbesat dhe nipërit e mi.