Në episodin më të fundit të podcastit të Mentor Nazarkos, i transmetuar në Radiotelevizionin Shqiptar dhe Radio Tirana, i ftuar ishte shkrimtari, publicisti dhe opinionisti i njohur, Kim Mehmeti. Biseda mes tyre, preku një sërë temash të thella, që lidhen me raportet shqiptaro-shqiptare në hapësirat e ndryshme të Ballkanit, me theks të veçantë mbi mungesën e njohjes reciproke midis shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Mehmeti e përshkroi këtë ndarje si “absurde” dhe theksoi se mosnjohja nuk është vetëm institucionale apo historike, por edhe kulturore dhe emocionale. “Ne shpeshherë, nuk e dimë as që ekzistojmë për njëri-tjetrin”, deklaroi ai, duke shtuar se vetëm kontaktet njerëzore dhe shkëmbimet reale mund ta tejkalojnë këtë hendek.
Duke folur për përvojat e tij në ish-Jugosllavi dhe më pas në Shqipërinë e pas ’90-ës, Mehmeti rrëfeu zhgënjimin që përjetoi kur vizitoi Tiranën për herë të parë në vitin 1991, përballë realitetit të ashpër të krizës ekonomike dhe mungesës së strukturave bazike në vend. “Ëndrra ime për Shqipërinë si parajsë, u përball me një boshllëk të tmerrshëm”, u shpreh ai.
Podcasti, që është një reflektim i sinqertë dhe shpeshherë kritik mbi vetëdijen kolektive të shqiptarëve, sjell në vëmendje edhe elementë biografikë të Kim Mehmetit, përfshirë jetën e tij në Shkup, origjinën nga Reka e Epërme dhe përvojat e shumta profesionale, që nga gjeodezia deri te gazetaria./Konica.al