Kim Mehmeti
Pranvera ka ardhur edhe në komunën e Sarajit. Por banorët e Gërçecit dhe të fshatrave buzë lumit Treska nuk mund të dalin jashtë shtëpive për t’iu gëzuar gjelbërimit, sepse i ngulfat era helmuese e gomave dhe vajrave të djegura të automjeteve.
Disa thonë se dikush merret me përpunimin e vajrave të veturave dhe mbeturinat i hedh në lumin Treska?!
Të tjerë thonë se brigjeve të lumit Treska digjen goma automobilash dhe mbeturina të tjera plastike.
Dhe çfarë nuk thuhet aty ku helmohen njerëzit, përderisa komuna është shndërruar në një shkretëtirë për të cilën askush nuk kujdeset, ku shtohet numri i fëmijëve me probleme të organeve të frymëmarrjes dhe pakësohet ai i të moshuarve, të cilëve jetën ua shkurton ajri i ndotur.
Përndryshe, këtë ajër dhe këtë lumë e helmojnë ata që nuk lënë xhuma pa falur, por që në xhami nuk shkojnë nga frika ndaj Zotit apo mëkatit, por për të mbuluar fytyrën e njeriut pa ndërgjegje dhe pa dinjitet.


