Nga Kim Mehmeti
Nuk është bamirësi kur fotografohesh pranë sofrës së skamnorëve vetëm që bota ta sheh atë që ua ke dhënë, por përkundrazi, dorë bëmirëse është vetëm ajo që nuk i treguar as dorës tjetër se kënd ka ndihmuar.
Nuk është bamirësi as ajo kur me dorën tënde e ndan të huajën dhe kur me lotët e skamnorëve bënë spektakle televizive, duke madhëruar kështu vetveten, por bamirësi është kur bëhesh i padukshëm dhe e mbron dinjitetin e skamnorëve.
Bamirësi nuk është as kur nga parat e fëlliqura të hajdutërisë dhe drogës – vetëm për ta mbuluar fytyrën e vërtetë – u dhuron skamnorëve banesa dhe e ndihmon ndërtimin e objekteve fetare.
Është shumë e rëndë të jesh bamirës i vërtetë që nuk e përdorë skamjen e të tjerëve për ta mbuluar fytyrën tënde të shëmtuar, sepse të tillë janë vetëm ata që asnjëherë nuk e harrojnë atë që dihet prej moti: se qefini nuk ka xhepa.
Sidoqoftë në këtë muaj të Ramazanit është mirë që fëmijëve t’u tregoni se jetojmë në kohë të modeleve të rrejshme, në kohë kur i ditur nuk është ai që e ka kokën plotë, por ai që i ka xhepat e mbushur dhe se, në të shpeshtën e rasteve, sot shtrojnë iftare dhe i ndihmojnë varfanjakët ata që pasurohet nga mjerimi i popullit të vetë.