Një nga të akuzuarit për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Vllatko Keshishev, gjatë seancës së sotme gjyqësore kërkoi fjalën dhe theksoi se letra që më parë i kishte dorëzuar gjykatësit, ku deklaronte se Ljupço Paleski Palço nuk kishte qenë i pranishëm gjatë vrasjeve, nuk është e tij dhe se ajo që është shkruar nuk është e vërtetë.
Ai shpjegoi se si ishte shkruar letra.
Gjatë transportit tim dhe të Paleskit nga burgu në gjykatë, ai më thoshte çfarë të shkruaja, që të dukej si shkrim im. Më dha një fletë për ta kopjuar, dhe unë e kopjova sepse kisha frikë, deklaroi Keshishevi në seancën e sotme gjyqësore.
Në deklaratën e shkruar thuhej se Paleski as më 22 nëntor dhe as më 27, kur ndodhën rrëmbimet dhe vrasjet, nuk ishte me të pandehurit e tjerë, por po flinte në shtabin e partisë “E Djathta”. Po ashtu, aty shkruhej se Bore Videvski dhe Velibor Manev ishin bashkë në vendet e ngjarjeve në Veles dhe Shkup dhe se Manevi ushtronte presion mbi të për të deklaruar se Paleski ishte organizatori dhe kryesi i vrasjeve.
Por sot, Keshishevi u ngrit para gjykatës dhe tha se letra nuk është e vërtetë, pasi e kishte shkruar nga frika dhe me kërkesë të Paleskit.