Në mbledhjen e parë konstituive të Këshillit Komunal të Sarajit, Iljas Veseli u zgjodh kryetar i Këshillit me 11 vota pro. Megjithatë, vëmendjen e mori vota e një këshilltari të koalicionit VLEN, i cili doli kundër qëndrimit të grupit të vet politik.
VLEN ka gjithsej 9 këshilltarë, ndërsa AKI ka 10, por pikërisht një këshilltar i VLEN nga radhët e Lëvizjes BESA votoi pro Veselit, duke e bërë të mundur zgjedhjen e tij.
Ky veprim ka hapur dilema dhe ka nxitur diskutime për mundësinë e tensioneve të brendshme brenda koalicionit VLEN. Për momentin nuk ka reagim zyrtar nga VLEN apo BESA, por situata pritet të zhvillohet më tej në ditët në vijim.


