Këshilltarët shqiptarë nga VLEN dhe AKI kanë lëshuar seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Butelit, ku u diskutua edhe për mbylljen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko”.
Këshilltari i AKI-së, Armend Murseli, akuzoi kryetarin e komunës se nuk po e respekton ligjin, ndërsa këshilltarët shqiptarë pretendojnë se ekziston bazë ligjore që nxënësit që jetojnë pranë kësaj shkolle, edhe pse me adresë janë në Komunën e Çairit, të mund të regjistrohen në “Penko”.
Këshilltarët shqiptarë mohojnë kategorikisht se kanë votuar për mbylljen e paraleleve shqipe.
“Dëshiroj ta bëj të qartë se ne si këshilltarë shqiptarë, asnjëherë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi për mbylljen e asnjë paraleleje”, tha Albesa Ramani nga VLEN, duke shtuar se janë në koordinim me zëvendësministrin e Arsimit për të gjetur një zgjidhje.
Nga AKI, Linkest Lumani tha se këshilltarët shqiptarë kishin përgatitur një propozim për ta futur në rend dite çështjen e vazhdimit të mësimit në paralelen shqipe.
“Ne e përpiluam atë propozim. Përgjigjja ishte decid se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe se është më fakt i kryer. E nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës”, u shpreh Lumani.



