Një javë para skadimit të afatit për emërimin e prokurorëve të rinj që janë paraqitur në konkursin e tetorit, Këshilli i Prokurorëve ua ka vazhduar mandatin dhjetë prokurorëve nga Prokuroria Themelore e Shkupit për përndjekjen e krimit dhe korrupsionit, Prokuroria Themelore dhe e Lartë e Shkupit, Prokuroria Themelore e Manastirit dhe Prokuroria e Lartë e Gostivarit, thonë burime të televizionit Shenja. Edhe pse tashmë ka dhjetëra kandidatë të cilët janë paraqitur dhe kanë kryer intervistat e punës para gjashtë muajsh, Këshilli mban peng emërimin pa dhënë ndonjë arsye të qartë.
Edhe pse Televizioni Shenja u interesua për këtë rast disa ditë me radhë, kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski pa asnjë arsye injoron këtë temë. Anevski nuk gjeti kohë as për të konfirmuar e as për të demantuar prapavinë eventuale politike të kësaj zvarritje.
Nëse deri pas një jave nuk emërohen prokurorët e rinj nga radhët e kandidatëve që po presin përgjigje nga Këshilli që prej gjashtë muajsh, konkursi dështon, dhe është e paqartë nëse do të shpallet së shpejti një konkurs i ri.
10 anëtarët e Këshillit të Prokurorëve duhet të emërojnë 5 prokurorë në Prokurorinë Themelore të Shkupit për përndjekjen e krimit dhe korrupsionit, 2 në Prokurorinë e Lartë të Shkupit, dhe nga një në Prokurorinë Themelore të Shkupit,të Manastirit dhe në Prokurorinë e Lartë e Gostivarit.