16 May
Këshilli i Prokurorëve Publik nuk arriti të kompletohet për të vendosur nëse do të vazhdojë mandatin e kryetares së Prokurorisë së lartë Publike të Shkupit Gordana Geshkovska ose në vendin e saj të emërojë kryetar të ri. Në këshill kanë munguar katër anëtar. Prezenca e 7 anëtarëve përfshi kreun e këshillit Petar Anevski nuk ka mjaftuar që me 2/3 e votave të merret vendim për këtë çështje. Anevski potencoi së në këshill ka mendime të ndryshme rreth shpalljeve dhe zgjedhjes së prokurorit.
Për shpalljen e njoftimeve dhe për zgjedhjen e prokurorëve publik mendimet e anëtarëve janë të ndarë pasi që sipas Kodit zgjedhorë, procesi zgjedhor zgjat akoma dhe kjo është pengesë për njoftime dhe shpallje të reja – deklaroi Petar Anevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.
Alsat M nga burime brenda Prokurorisë Publike mësoi se para takimit në Këshill, Anevski ka takuar kryeprokurorin Marko Zvërlevskin. Detaje nga takimi nuk dihen, mirëpo në mbledhjen e Këshillit të Prokurorëve ka marr pjesë edhe Zvërlevski i cili ka njoftuar se Bisera Llazarevska është tërhequr nga kandidatura për kryetare të Prokurorisë së lartë.
Kryeprokurori ishte në mbledhje dhe tregoi se Bisera Lazarevska është tërhequr nga kandidatura për këtë post. Pra të jemi të qartë se ajo nuk është në lojë dhe nuk do të kandidohet edhe nëse do ta bënte nuk dihej nëse do të zgjidhej ose jo pasi që varet kush si do të voton në Këshill – u shpreh Anevski.
Alsat M ditë më parë njoftoi se me propozim të Zvërlevskit në vendin e Geshkovskës janë propozuar shefja e kabinetit të tij Bisera Lazarevska dhe ish avokatja Vesna Jovanovska. Ndonëse ligjërisht Geshkovska akoma nuk është shkarkuar, Anevski thotë se në bazë të renditjes vjetore me të cilën funksionojnë prokuroritë, me Prokurorinë e lartë Publike të Shkupit tashmë do të udhëheqë Jovan Cvetanovski.
Deri në shkarkimin e saj Geshkovska do t’i procedojë lëndët se saj, por nuk ka të drejtë të merr lëndë të reja. Ajo akoma nuk është shkarkuar, mandati akoma i vazhdon dhe vazhdon të punojë – th Anevski.
Në bazë të ligjit për Prokurorë Publik, në ditën që kryetarit të Prokurorisë së lartë Publike i skadon mandati, me automatizëm të gjitha kompetencat i kalojnë zëvendës kryetarit i cili deri në zgjedhjen e kreut të ri ushtron detyrën e kryetarit. Gordana Geshkovska u bë e njohur me lëndët “Monstra”, “Nikolla Mlladenov” , “Merimanga” kundër pronarit të televizionit A1 Velija Ramkovski dhe së fundmi udhëheq hetimet për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend.
Adrian Kerimi

