Në seancën e djeshme të Këshillit të Kumanovës u hodh poshtë iniciativa për futjen pikës të rendit të ditës lidhur me tatimin e punëtorëve nga vendi që kanë punuar në Irak dhe Afganistani, transmeton Portalb.mk.
Kjo nismë ishte parashtruar nga qytetarë të Kumanovës, si dhe nga këshilltarët e “Rend për Kumanovën”, por u refuzua me arsyetimin se Këshilli nuk ka kompetencë të vendosë për këtë çështje dhe se ajo është në kompetencë të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Kryetarja e Këshillit, Ivana Gjorgjievska, propozoi që kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski, të japë informacione për problemin, meqë ai personalisht kishte realizuar një takim me ta.
jo nxiti reagime të ashpra nga këshilltarët opozitarë, të cilët theksuan se, nëse Këshilli nuk ka të drejtë të diskutojë për këtë çështje, mbi çfarë baze i jepet kjo mundësi kryetarit të komunës.
Punëtorët e vendit që kanë punuar në Irak dhe Afganistan prej më shumë se dy javësh po protestojnë para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Kumanovë por edhe në Tetovë, pasi konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat dhe se nuk duhet të tatohen dyfish.
Sipas punëtorëve, shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por sipas tyre ky status nuk u njihet nga DAP, madje dëshmitë për qëndrim dhe punë jashtë shtetit nuk merren parasysh nga punonjësit e drejtorisë.
Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.


